
Për herë të parë, edhe administrata përfiton nga praktika e indeksimit sipas inflacionit
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga viti 2026 do të nisë indeksimi vjetor i pagave për punonjësit e administratës publike, një praktikë që deri më tani zbatohej vetëm për pensionistët.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri me dije se pagat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit, si pjesë e një politike të re pagash që synon të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Ka një tjetër lajm shumë të mirë në projektbuxhetin 2026: fillimi i praktikës së indeksimit vjetor për pagat e punonjësve të sektorit publik, në nivel qendror dhe vendor. Pagat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit,” – deklaroi Rama.
Rritje page për mësuesit, mjekët, policët dhe punonjësit e administratës
Sipas kreut të qeverisë, projekti i ri i pagave parashikon një rritje të përgjithshme prej rreth 100 milionë eurosh në buxhetin e vitit të parë të zbatimit.
10,600 punonjës shërbimi – sanitare, shoferë, teknikë, arkivistë, magazinierë – do të përfitojnë rritje me 10,000 lekë në muaj.
Specialistët e administratës publike do të kenë rritje prej 5,000 lekësh.
Mësuesit do të përfitojnë 3,000 lekë më shumë në muaj.
Në sektorin e Shëndetësisë, përveç indeksimit, nis edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, duke sjellë rritje të ndjeshme në pagat mujore:
Mjekët e përgjithshëm: nga 131,700 lekë në 143,500 lekë;
Mjekët spitalorë: nga 174,000 lekë në 186,000 lekë;
Infermierët: nga 87,000 lekë në 92,500 lekë.
Rritje edhe për Policinë e Shtetit
Punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë njëkohësisht indeksim dhe rritje për vjetërsinë në punë.
Sipas përllogaritjeve të qeverisë, rritja mesatare për gradat e ulëta do të jetë rreth 5,000 lekë në muaj, ndërsa përfshihen edhe shtesat për ushqim dhe kushtet e punës:
Inspektorët: nga 80,500 në 84,500 lekë + shtesa → mesatarisht 100,000 lekë;
Nënkomisarët: nga 95,500 në 101,000 lekë + shtesa → 116,000 lekë;
Komisarët: nga 105,000 në 110,600 lekë + shtesa → 125,600 lekë;
Drejtuesit e thjeshtë: nga 130,500 në 141,450 lekë + shtesa → 156,450 lekë.
Rama: Shqipëria në një nivel të ri ekonomik
Në fund të mesazhit, Rama tha se kjo politikë pagash është dëshmi e zhvillimit ekonomik të vendit dhe e synimit për Shqipërinë 2030.
“Shqipëria është në një nivel tjetër. Këto rritje do të ndihen çdo vit, në sektorin publik e privat. Ata që na dhanë besimin me 83 mandate meritojnë më shumë, dhe do të kenë më shumë,” – theksoi Kryeministri.




