Aktivistë dhe përfaqësues nga shoqëria civile protestuan sot para Kuvendit të Shqipërisë kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”, duke kërkuar që deputetët të mos e votojnë nismën e propozuar nga qeveria.

Protesta u organizua pak përpara nisjes së seancës plenare, ku pritej diskutimi për këtë projektligj. Të thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës”, qytetarë e aktivistë mbajtën pankarta me thirrje në mbrojtje të familjes tradicionale dhe gjinive binare – burrë e grua.

Pastori Akil Pano e cilësoi projektligjin si “një trup të huaj” për shoqërinë shqiptare.

“Ky është një kancer që do të shkatërrojë trupin tonë. Nëse ky projektligj kalon, atëherë jemi duke firmosur shkatërrimin e familjes, të fëmijës dhe të Shqipërisë,” – deklaroi ai.

Në protestë morën pjesë gjithashtu kryetari i PD, Sali Berisha, dhe deputetë të opozitës si Klevis Balliu, Tedi Blushi, Belind Këlliçi dhe Tritan Shehu.


Çfarë parashikon projektligji

Projektligji “Për barazinë gjinore” synon të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian në fushën e të drejtave të njeriut dhe trajtimit të barabartë të burrave dhe grave.
Sipas mazhorancës, nisma nuk krijon “gjini të reja” dhe nuk cenon familjen tradicionale, por synon të forcojë demokracinë përmes barazisë gjinore dhe mbrojtjes nga diskriminimi.

Ky projektligj përditëson kuadrin ligjor të vitit 2008, në përputhje me detyrimet e Shqipërisë ndaj BE-së.


Qëndrimi i opozitës

Opozita e ka kundërshtuar ashpër projektligjin, duke e konsideruar atë si një rrezik për vlerat familjare dhe traditat kombëtare. Ajo ka kërkuar që ligji të mos miratohet në Kuvend, por të kalojë në referendum popullor, në mënyrë që qytetarët të vendosin vetë për përmbajtjen e tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu