
Finalizohet operacioni policor i koduar “Foreign 3”, goditet një rast i shfrytëzimit të prostitucionit dhe një rast i përshtatjes së ambienteve, për prostitucion.
Shfrytëzonte 2 shtetase kineze, për prostitucion, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçarja, shtetase kineze.
Procedohen penalisht 2 shtetaset që ushtronin prostitucion, pasi kishin përshtatur apartamentin e tyre për këtë veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, bazuar në informacionet e siguruara për një rast prostitucioni, kanë organizuar dhe finalizuar në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacionin policor të koduar “Foreign 3”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua shtetasja kineze F. Z., 47 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
-nisi procedimi penal për shtetaset kineze D. W., 44 vjeçe, dhe L. C., 46 vjeçe, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Shtetasja kineze F. Z. shfrytëzonte për prostitucion, 2 shtetaset e tjera kineze, të cilat e ushtronin këtë veprimtari kriminale në apartamentin ku banonin.
Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.




