Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila sot i dha të drejtë Erion Veliajt dhe e riktheu në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka reaguar Florjan Binaj, kandidati i mbështetur nga opozita për këtë post. Në një deklaratë publike, aktori dhe aktivisti theksoi se pavarësisht vendimit gjyqësor, Tirana ka ende nevojë për ndryshim dhe se ai do të kandidojë “kurdo që të mbahen zgjedhjet”.

“Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë. Kjo nuk është garë për pushtet, por për qytetin tonë,” – u shpreh Binaj, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen. Ai shtoi se rrugëtimi për ndryshim do të vazhdojë dhe se asgjë nuk do ta ndalë vullnetin e qytetarëve të Tiranës për një të ardhme më të mirë.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, me shumicë votash 5 me 3, të rrëzojë vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Veliajt dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Tiranë. Ky vendim e rikthen zyrtarisht Veliajn në krye të Bashkisë, edhe pse ai ndodhet aktualisht në paraburgimin e Durrësit për hetime nga SPAK.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu