
Partia Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend lidhur me raportin final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke theksuar se procesi zgjedhor është shoqëruar me shkelje serioze të parimit të barazisë mes palëve në garë.
Në kërkesën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se raporti i OSBE-ODIHR evidenton qartë deformime të procesit zgjedhor në favor të mazhorancës, përmes përdorimit të burimeve shtetërore dhe ndërhyrjeve politike që kanë cenuar standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Lexo edhe:
Me pesë mbiemra/ Falsifikim, ekspuls, deklarim të rremë, por Irena është ‘simbol’ i drejtësisë së re për të goditur opozitën
“Pasur parasysh gjetjet dhe konkluzionet e raportit final të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, veçanërisht ato që lidhen me shkeljen e parimit të barazisë së palëve në garë, vlerësojmë se është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që të iniciojmë dhe nxisim debatin parlamentar për problematikat, mangësitë dhe standardet e proceseve zgjedhore në vendin tonë,” – thuhet në kërkesën e PD-së.
Sipas opozitës, raporti thekson se zgjedhjet e 2025-ës u mbajtën në një klimë të thellë polarizimi politik, ku konkurrenca e ndershme u deformua nga avantazhet që përfitoi partia në pushtet përmes përdorimit të gjerë të burimeve shtetërore dhe strukturave publike.
Në raport nënvizohet gjithashtu se zyrtarë të lartë qeveritarë morën pjesë në një sërë aktivitetesh zyrtare që përkonin me fushatën elektorale, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë. Po ashtu, OSBE-ODIHR evidenton pretendime për presion ndaj punonjësve të administratës publike, intimidim të mbështetësve të opozitës, përdorim të rrjeteve të patronazhimit, si dhe raste të shitblerjes së votave dhe ndikim të elementëve kriminalë në disa zona.
PD kërkon që përmbajtja e raportit të diskutohet në mënyrë të plotë në Kuvend, si një hap i domosdoshëm për transparencë dhe përmirësim të reformës zgjedhore, të miratuar kohët e fundit me konsensus ndërpartiak.







