
Një lajm i mrekullueshëm vjen nga Spitali Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku një nënë ka sjellë në jetë katërnjakë nga një shtatzëni plotësisht natyrale.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Nga familja fantastike e Rozetës dhe Geraldos, të cilët janë bekuar me katërnjakët: Roal, Alrda, Roar dhe Auro, ardhur nga një shtatzëni natyrale.
Jetë të gjatë vogëlushëve, të cilët pas një muaji kujdesi shëndetësor intensiv, tani janë gati për të lënë Spitalin Universitar Obstetrik – Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’ në Tiranë”, – thuhet në njoftim.
Katërnjakët janë mbajtur nën kujdes të veçantë mjekësor për rreth një muaj dhe tashmë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, gati për t’u bashkuar me familjen e tyre.
Ky rast i rrallë gëzoi personelin mjekësor të spitalit, i cili e cilësoi lindjen si një mrekulli të natyrës dhe një sukses të kujdesit obstetrik shqiptar.
![]()
![]()
![]()





