Maria Cristina Medina ka lënë Zvicrën për të shpëtuar kafshët në nevojë në Shqipëri, duke e kthyer këtë në misionin e jetës së saj.
Rreth 19 vite më parë, përballë detyrimit për të marrë vetëm pesë kafshë me vete në kthimin për në vendlindje, ajo zgjodhi një rrugë krejt tjetër: të qëndronte në Tiranë dhe të hapte qendrën e parë për kafshët e braktisura.

Sot, qendra e saj është bërë një strehë e vërtetë për qindra kafshë të lënduara, të sëmura apo të abuzuara. Gjatë vizitës së TRT Balkan, Maria tregoi se ka marrë në trajtim edhe disa prej kafshëve që u dogjën gjatë fatkeqësive të verës në Gramsh dhe Delvinë.

“Jam nga Zvicra, por jam rritur me ndjesinë e kujdesit. Erdha këtu në Shqipëri dhe nuk munda të largohem më. Ishte e pamundur të zgjidhja vetëm pesë kafshë për t’i marrë në shtëpi. Nuk mund të lija pas të tjerat, ndaj krijova qendrën time. Që nga 3 tetori i vitit 2006, jetoj këtu. Janë kaluar 19 vite të gjata, të vështira, por plot kuptim,” – rrëfen ajo me emocione.

Në fjalët e saj, dëgjohet përkushtimi i një jete të kaluar mes qenve, maceve, kuajve e zogjve të plagosur:

“Ne nuk marrim kafshë që janë mirë vetëm për t’i dhënë në adoptim. Kujdesemi për ato që kanë nevojë për ndihmë – për ata që kanë humbur një këmbë, që janë të paralizuar, që nuk shohin më. Ka qenë e vështirë, sidomos me kafshët e mëdha si kuajt, që nuk mund të ngriheshin për shkak të plagëve. Por ne nuk dorëzohemi.”

Maria jeton praktikisht brenda qendrës, bashkë me dhjetëra kafshë që e shohin si shpëtimtaren e tyre.

“Kjo është shtëpia ime. Unë rrallë dal – vetëm për të blerë ushqim apo për të paguar veterinerët. Çdo ditë është luftë, por edhe dashuri. Shqipëria është bërë vendi im,” – thotë ajo.

Për shumëkënd, Maria është mishërimi i humanizmit që kapërcen kufijtë. Nga një vend i sigurt e i rregullt si Zvicra, ajo zgjodhi Shqipërinë – një vend ku, siç thotë vetë, “kafshët kanë më shumë nevojë për njerëz, dhe njerëzit mësojnë më shumë nga kafshët”.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu