
Një mbrëmje historike për sportin shqiptar: boksieri Jurgen Uldedaj ka fituar titullin botëror të peshës cruiser në versionin IBO (International Boxing Organization), duke ngritur lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare të boksit.
Uldedaj triumfoi ndaj kundërshtarit Rolly Lambert Fogoum në një ndeshje spektakolare të zhvilluar në O2 Arena në Londër, duke e mposhtur me vendim unanim të gjyqtarëve.
Me këtë fitore, 28-vjeçari me origjinë nga Lezha, që prej vitesh garon në Gjermani, shkroi historinë si shqiptari i parë që shpallet Kampion Bote në peshën cruiser IBO.
“Ky është një moment që ia dedikoj Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Jam krenar që flamuri ynë u valëvit sot në mes të Londrës,” – deklaroi Uldedaj pas fitores.
Ky sukses shënon një tjetër hap të madh për sportin shqiptar, duke e vendosur emrin e Jurgen Uldedajt mes kampionëve të mëdhenj të boksit botëror.




