Një grup  turistësh polakë, të cilëve pushimet në Shqipëri iu kthyen në stres për shkak të zhurmave dhe punimeve ndërtimore, kanë kërkuar zhdëmtim të plotë nga operatori turistik. Pas një odiseje juridike në Poloni, rasti ka përfunduar në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në Luksemburg, e cila tani ka vendosur në favor të pushuesve, duke forcuar të drejtat e turistëve që prenotojnë paketa “all inclusive”.

Hotel me pesë yje dhe zhurmë ndërtimi

Pushuesit polakë kishin prenotuar një paketë turistike në një hotel me pesë yje në Shqipëri, por sapo mbërritën, u përballën me zhurmë intensive ndërtimesh. Sipas dokumenteve të rastit, pishina e hotelit u shemb me urdhër të autoriteteve, ndërsa punimet zgjatën katër ditë.

Gjatë qëndrimit, ushqimi shërbehej me vonesë, kishte radhë të gjata në restorant, dhe u hoq një nga vaktet e përfshira në ofertë. Në ditët e fundit të pushimit, në të njëjtin objekt nisën punime për zgjerimin e hotelit, duke e bërë situatën edhe më stresuese për turistët.

Vendimi i Gjykatës Europiane

Sipas vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, në rastet kur pushuesit përjetojnë mangësi të mëdha në shërbim ose kushte të papërshtatshme, ata kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim të plotë, edhe nëse kanë shfrytëzuar vetëm pjesërisht paketën turistike.

“Nëse pushimet kthehen në shqetësim dhe humbet interesi për to, pushuesi ka të drejtë të kërkojë kthimin e plotë të shumës së paguar,” – thuhet në vendim.

Megjithatë, trupa gjyqësore sqaroi se operatori turistik nuk mund të gjobitet shtesë nëse mangësitë janë shkaktuar nga palë të treta dhe nuk kanë qenë të parashikueshme apo të shmangshme.

Çështja kthehet në Poloni për vendim përfundimtar

Gjykata në Luksemburg kërkon që gjykata kombëtare në Poloni të përcaktojë nëse operatori turistik apo menaxhuesi i hotelit kishin dijeni për ndërhyrjet e autoriteteve shqiptare që urdhëruan shembjen e pishinës.

Nëse rezulton se ata kanë qenë të informuar, operatori nuk mund të shmangë përgjegjësinë për zhdëmtim ndaj pushuesve.

Rasti konsiderohet një precedent i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të turistëve në Bashkimin Europian dhe pritet të ndikojë edhe në mënyrën si kompanitë turistike menaxhojnë ofertat e tyre në vendet e Ballkanit. /Deutsche Welle (DW)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu