
Është peshuar sasia e drogës e gjetur dje në gomonen gjysmë të fundosur që lëshoi sinjalin “SOS” në hapësirën detare midis Korfuzit dhe Igumenicës. Pas ekzaminimeve në spitalin e Filatit dhe shoqërimit më pas në policinë e Igumenicës të 50-vjeçarit nga Saranda, Edmond Musa, i njohur me nofkën “Çimoni”, policia greke ka ushtruar kontroll në mjetin lundrues të dëmtuar.
Gomonia ishte sjellë nga rrymat pranë brigjeve të Sajadhës dhe brenda saj policia gjeti rreth 80 kilogramë marijuanë. Nuk përjashtohet mundësia që sasia fillestare e drogës të ketë qenë më e madhe, pasi dyshohet se skafisti, duke parë se mjeti kishte pësuar avari, ka mundur të hedhë një pjesë të ngarkesës në det.
Sipas hetimeve paraprake, shkak i avarisë mendohet të ketë qenë deti i trazuar, që detyroi 50-vjeçarin nga Saranda të lëshojë sinjalin e emergjencës. Në ndihmë të tij u nisën menjëherë mjetet e policisë kufitare të Korfuzit dhe Igumenicës, të cilat e gjetën gomonen pranë zonës ishullore “Prasoudi”.
Për ngjarjen ka pasur bashkëpunim edhe me policinë kufitare të Sarandës. Efektivët shqiptarë, në bashkëpunim me sektorin anti-drogë, kanë ushtruar kontrolle në disa banesa gjatë pasdites së së premtes në Sarandë, përfshirë edhe shtëpinë e Edmond Musait dhe të afërmve të tij, por deri tani pa rezultat.
Dyshohet se mjeti lundrues është nisur nga Saranda mbrëmjen e së enjtes dhe ka pësuar avari në orët e para të mëngjesit të së premtes. Pas sinjalit “SOS”, Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit (EKSED) e Shtabit të Përgjithshëm të Marinës greke njoftoi autoritetet e Korfuzit dhe Igumenicës, të cilat lokalizuan mjetin në të gdhirë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, vijojnë hetimet për rastin e dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas burimeve policore, Edmond Musa, i njohur si “Çimoni”, konsiderohet një nga skafistët më të vjetër të qytetit dhe dyshohet se ka kryer më parë linjën e trafikut të drogës drejt Korfuzit me gomone ose jet-ski.






