Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë

Në lidhje me një lajm të publikuar në portalin “JOQ Albania”, ku disa shtetas të huaj gjerman janë ankuar se janë gjobitur për drejtimin e disa mjeteve elektrike “Monopatina” dhe më pas kanë bërë pagesën tek punonjësit e policisë, ju sqarojmë se:

yacht hotel sarande

Punonjësit e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë, ditën e sotme, në rrugën “Murat Tërbaç”, në “Lungomare”, kanë konstatuar 5 shtetas të cilët qarkullonin me mjete elektrike “Monopatinë” në korsinë e dedikuar për qarkullimin e biçikletave, duke kryer shkelje të kodit rrugor, konkretisht shkelje e parashikuar nga neni 144/2 i Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, “Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor”.

Këta 5 shtetas kanë rezultuar të jenë shtetas të huaj. Në këto kushte janë plotësuar procesverbalet e shkeljeve dhe janë kryer pagesat menjëherë tek punonjësi i Policisë, duke përfituar dhe uljen me 50% të masës administrative. Mandatet e arkëtimit, të paguara nga punonjësit e Policisë, janë bashkëngjitur me procesverbalet e shkeljeve.

Theksojmë se askujt prej këtyre shtetasve nuk i janë mbajtur mjetet e identifikimit. Ato janë kërkuar vetëm në momentin e konstatimit të shkeljes, me qëllim marrjen e gjeneraliteteve për plotësimin e masës administrative.

Policia e Vlorës falënderon mediat për përcjelljen e çdo ankese dhe mbetet e angazhuar për të siguruar një mjedis më të sigurt dhe më të organizuar për lëvizjen e të gjithë qytetarëve, sidomos gjatë sezonit turistik. Ndërmarrja e masave administrative për drejtuesit e monopatinave që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor kontribuon ndjeshëm në rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës. Qëllimi kryesor mbetet rritja e ndërgjegjësimit për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu