Një protestë e madhe mbarëkombëtare është zhvilluar sot në Tiranë në mbështetje të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej vitit 2020 ndodhen në Gjykatën Speciale në Hagë.

Mes qindra qytetarëve të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, u pa edhe djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, i cili ishte i veshur me simbole të UÇK-së. Ai u shoqërua edhe nga deputeti socialist Taulant Balla.

Protestuesit mbajtën pankarta me thirrje për liri dhe drejtësi, ndërsa atmosfera ishte patriotike, me flamuj kombëtarë dhe këngë kushtuar luftës së UÇK-së.

“Nuk kërkojmë mëshirë, por drejtësi”

Veterani i UÇK-së, Hysni Gucati, mbajti një fjalim të fortë, ku akuzoi Gjykatën Speciale se ka humbur besimin e shqiptarëve dhe po tenton të barazojë viktimën me agresorin.

“Komandantët e UÇK-së nuk ishin kriminelë, por çlirimtarë të Kosovës. Sot po protestojmë për drejtësi, për të mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK-së, gjakun e derdhur për liri. Bota mbarë pa krimet serbe në Kosovë. Nuk do ta lejojmë përdhosjen e emrit të komandantëve tanë.”

Ai theksoi se protesta nuk është politike, por e gjithë popullit shqiptar:

“Ne nuk po kërkojmë mëshirë, por drejtësi. Barazi para ligjit. Tirana sot është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve. Kosova ka luftuar për liri dhe çlirim. Gjykata Speciale ka humbur çdo besim te shqiptarët. Kjo protestë është thirrja e ndërgjegjes shqiptare. Lavdi UÇK, lavdi dëshmorëve të kombit.”

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët paralajmëruan se mobilizimi do të vijojë derisa komandantët e UÇK-së të lirohen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu