
Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituar zyrtarisht pas disa muajsh bllokim politik, me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Sipas RTK, Rashiq mori 71 vota pro, të siguruara kryesisht nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës abstenuan.
Zgjedhja e tij erdhi pasi të gjithë nëntë kandidatët e propozuar nga Lista Serbe nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme, duke e bërë Rashiqin kandidatin e vetëm të mbetur në garë.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, theksoi se procesi u zhvillua në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte urdhëruar përfundimin e seancës konstituive brenda 12 ditëve.
Rashiq, i cili drejton Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u shpreh se do ta ushtrojë detyrën me përgjegjësi, ndërsa theksoi se zgjedhja e tij është “një hap i rëndësishëm drejt normalizimit institucional”.
Kjo zgjedhje vjen pas një periudhe të tensionuar mes subjekteve politike, ku përfaqësues të AAK-së dhe PDK-së kërkuan “zgjidhje politike” për të tejkaluar bllokimin institucional./ RTKlive.com