
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije se Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi një sërë vendimesh:
-Ndryshim në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Në Pikën 3 te vendimit “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.
-Miratimin e Programit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil dhe organizimin e funskionimin e Komitetit Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil.
-Miratimin e disa ndryshime në vendimin nr.598, datë 1.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar”
-Autorizimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si themeluese e fondacionit “CulturAlb”
Ky fondacion ka si qëllim ruajtjen, prodhimin, ekspozimin, promovimin, marketimin, shitjen e suvenireve e të produkteve të tjera artistike, promovimin e trashëgimisë kulturore materiale, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe çdo veprimtari tjetër të parashikuar në statut dhe në aktin e themelimit.
-Lejimin e paraqitjes jashtë shtetit, në ekspozitën “Demokracia nëpërmjet ligjit”, pranë muzeut “Doge’s Apartments at Palazzo Ducale”, në Venecia, Itali, për periudhën 11 tetor 2025 deri më 6 janar 2026, si pjesë e veprimtarive zyrtare në kuadër të përvjetorit të 35-të të Komisionit Evropian për demokracinë nëpërmjet ligjit, organizuar në bashkëpunim ndërmjet Zyrës Italiane të Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias, Superintendencës Arkivore dhe Bibliografike të Venetos dhe Trentino-Alto Adige-s, Arkivit Shtetëror të Venecias, fondacionit “Musei Civici di Venezia” dhe Këshillit Rajonal të Venetos, të dokumenteve të mëposhtme, pjesë e Fondit Arkivor të Republikës së Shqipërisë:
a) Ligji nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” (40 faqe);
b) Dekreti nr.2241, datë 21.10.1998, i Presidentit të Republikës, “Për shpalljen me referendum të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë” (1 faqe);
c) Dekreti nr.2260, datë 28.11.1998, i Presidentit të Republikës për shpalljen e ligjit (1 faqe).
2. Dokumentet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi dërgohen jashtë dhe rikthehen brenda vendit në periudhën ndërmjet datave 1 tetor 2025 – 15 janar 2026/dosja.al