
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi sot ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, që do të merren me reformën zgjedhore dhe reformën administrative-territoriale.
“Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të institucionalizojë në orët në vijim dy nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy komisioneve të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë. I pari është Komisioni për Reformën Zgjedhore, një traditë tashmë çdo fillim legjislature, dhe i dyti, Komisioni për Reformën Administrative dhe Territoriale,” – tha Balla pas mbledhjes së grupit.
Sipas tij, qëllimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore është përmbyllja e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR, përfshirë depolitizimin e komisioneve zgjedhore dhe rritjen e transparencës në financimin e partive dhe fushatave elektorale.
“Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet mbështetëse e plotë e depolitizimit të procesit zgjedhor,” – theksoi Balla, duke shtuar se objektivi është që reforma e re të përfshijë edhe përgatitjet ligjore për pjesëmarrjen e Shqipërisë në zgjedhjet për Parlamentin Europian në të ardhmen.
Komisioni i dytë, ai për Reformën Administrative dhe Territoriale, do të drejtohet nga ish-ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ndërsa reformën zgjedhore do ta drejtojë Damian Gjiknuri.
“Pas 10 vitesh nga zbatimi i reformës territoriale të vitit 2014, është koha për ta rishikuar dhe për të adresuar problematikat që janë shfaqur në praktikë,” – tha Balla, duke ftuar opozitën të jetë pjesë e procesit.
Ai nënvizoi se në përbërje të komisioneve do të sigurohet përfaqësim i barabartë mes mazhorancës dhe opozitës, ashtu si në rastet e mëparshme.
“Uroj që edhe grupet parlamentare të opozitës, të Aleancës për Ndryshim dhe të Partisë së Lirisë të sjellin propozimet e tyre, në mënyrë që puna të nisë menjëherë,” – shtoi Balla.
Lidhur me reformën territoriale, Balla u pyet nëse do të ketë ndryshim në numrin e bashkive, por nuk dha një qëndrim konkret:
“Po të propozojmë ne zgjerimin, ata do propozojnë uljen, dhe anasjelltas. Le t’i lemë komisionet të bëjnë punën e tyre.”
Në fund, Balla konfirmoi se Partia Socialiste do të rrëzojë në seancë plenare kërkesën e opozitës për shkarkimin e ministrit Niko Peleshi.
“E kemi marrë vendimin sot në grupin parlamentar: rrëzim i kërkesës. Uroj të kemi më shumë vota sesa kishim kur zgjodhëm kryetarin,” – përfundoi Balla.