
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar për herë të parë arsyen pse vendosi të kandidonte Ogerta Manastirliun për kryetare të Bashkisë së Tiranës dhe pse ky vendim nuk u bë publik para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke i lënë të gjithë të habitur.
Në episodin e parë të sezonit të ri të podkastit “Flasim”, Rama tha se kandidatura e Manastirliut ishte “zgjidhja më e natyrshme” pasi ajo rezultoi më e mbështetura në të gjitha sondazhet dhe anketimet e zhvilluara në kryeqytet.
“Në të gjitha anketimet dhe në të gjitha rrugët e testimit të opinionit, ti ishe kryetarja e bashkisë që shumica donte, me diferencë nga çdo lloj emri tjetër që kemi testuar,” tha Rama, duke shtuar se vendimi erdhi si një kërkesë e qartë e qytetarëve.
Sipas Ramës, përzgjedhja u mbajt diskrete deri në momentin e fundit për të shmangur spekulime dhe lëvizje parakohe brenda dhe jashtë partisë.
Nga ana e saj, Ogerta Manastirliu e cilësoi kandidimin si një “sfidë historike”, ndërsa tregoi edhe reagimin e familjes kur mori lajmin surprizë.
“Altea më tha: ‘Si ka mundësi që nuk të pyeti?’ Emili më tha: ‘Nuk ke çfarë t’i bësh tani, do ta bësh edhe këtë gjë.’ Ermali ishte i vetmi që ndryshe nga herët e tjera nuk më shkroi direkt, por më pas patëm një bisedë të gjatë,” tregoi ajo me humor.
Rama theksoi gjithashtu se Tirana është në prag të një momenti historik, pasi për herë të parë pritet të ketë një grua në krye të Bashkisë:
“Besoj se Tirana do të ketë jo vetëm të parën grua kryetare bashkie në historinë e vet, por një kryetare që do të mbetet pjesë e atij grupi njerëzish që i kanë bërë histori këtij qyteti.”
Zgjedhjet e pjesshme lokale do të zhvillohen më 9 nëntor, sipas dekretit të Presidentit Bajram Begaj, jo vetëm në Tiranë por edhe në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Partia Socialiste ka propozuar Ogerta Manastirliun si kandidate për Tiranën, ndërsa opozita ndodhet në konsultime për një kandidat të përbashkët.