
Qeveria amerikane po shqyrton mundësinë e prerjes së një monedhe përkujtimore 1 dollarëshe me imazhin e presidentit Donald Trump, për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që do të kremtohet më 4 korrik 2026. Sipas draftit të publikuar nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së në platformën “X”, monedha e propozuar do të paraqesë profilin e Trump-it së bashku me fjalën “LIRI” të gdhendur me shkronja të mëdha.
Në anën tjetër të monedhës, ai do të jetë i paraqitur me grushtin e ngritur përpara një flamuri amerikan, bashkë me frazën “LUFTO, LUFTO, LUFTO”, një thënie e përdorur nga Trump gjatë një fjalimi, në përgjigje të tentativës për atentat ndaj tij në korrik 2024, gjatë fushatës presidenciale.
“Ndërsa dizajni përfundimtar për monedhën prej 1 dollari për të përkujtuar 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara nuk është zgjedhur ende, ky draft i parë pasqyron mirë frymën e qëndrueshme të vendit dhe demokracisë sonë, edhe përballë pengesave të mëdha”, tha një zëdhënës i Departamentit të Thesarit në një deklaratë.
Në vitin 2020, Kongresi miratoi një ligj që i lejon Sekretarit të Thesarit të presë monedha prej 1 dollari në vitin 2026 me një dizajn që simbolizon 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara. Por, një debat shpërtheu shpejt në rrjete sociale rreth monedhës së propozuar, duke pasur parasysh se ligji thotë konkretisht se “asnjë portret ose bust me kokë dhe shpatulla i ndonjë personi, të gjallë apo të vdekur, nuk do të përfshihet në dizajnin e ndonjë monedhe” të krijuar për të nderuar një përvjetor të SHBA-së./oranews