Vetëm pak orë pasi Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të mbështesë kandidatë të pavarur në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, Ermal Hasimja ka shpallur publikisht kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Gjatë një interviste në Euronews Albania, Hasimja iu drejtua drejtpërdrejt Berishës, duke i kërkuar mbështetjen e tij dhe të opozitës për kandidaturën:

“Më duket pozicioni logjik është që një opozitë e bashkuar të dalë me një kandidat të pavarur, i cili do të mbështetet nga një shumicë sa më e madhe e partive opozitare. Berisha ka kërkuar që edhe kandidatët e tjerë të shprehin dëshirat dhe ambiciet e tyre. Duke pasur këtë mundësi, unë po i drejtohem zotit Berisha dhe kryesisë së PD-së, si dhe forcave të tjera opozitare, duke ju paraqitur publikisht kandidaturën time për kreun e Bashkisë së Tiranës, me të njëjtat kritere që ai ka përcaktuar: kandidat i pavarur, pa logo specifike partie, i mbështetur nga shumica e opozitës.”

Hasimja theksoi se synon të jetë një figurë përbashkuese për opozitën, në një garë që pritet të jetë e ndezur në kryeqytet.

Ende nuk dihet nëse kjo lëvizje është e koordinuar me Partinë Demokratike apo jo, por nëse jo, është e sigurt që kandidatura e tij mund të krijojë debat brenda kampit opozitar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu