Mbrëmjen e sotme janë regjistruar dy vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit — në afërsi të Gjirit të Gramës dhe në hyrje të parkut kombëtar Divjakë–Karavasta.

Rreth orës 19:00, një zjarr i madh ka përfshirë zonën e quajtur Shën Andreas, pranë Gjirit të Gramës që lidhet me Palasën. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ndërsa era e fortë ka ndihmuar në përhapjen e tyre në drejtim të Karaburunit.
Në terren ndodhen dy mjete zjarrfikëse nga Himara dhe Vlora me 10 punonjës, por terreni i vështirë po e pengon ndërhyrjen. Sipas zjarrfikëses, shpresohet që brenda orëve të natës situata të vihet nën kontroll.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është shfaqur në hyrje të parkut Divjakë–Karavasta. Flakët kanë nisur në anë të një kanali përgjatë rrugës hyrëse, duke djegur fillimisht shkurre e më pas pisha.
Zjarrfikësit e Divjakës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arritën ta fikin zjarrin në kohë, duke shmangur dëme më të mëdha. Sipas informacioneve, persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin një pishe, që shkaktoi përhapjen e shpejtë të flakëve. Banorët e zonës ishin ata që njoftuan autoritetet për ndërhyrje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu