Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë Hamas-it një afat deri të dielën për të pranuar një plan të ri paqeje për Gazën, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse grupi e refuzon.

Në një postim në platformën e tij Truth Social të premten, Trump deklaroi se marrëveshja duhet të arrihet deri në orën 18:00 me orën e Uashingtonit (22:00 GMT) të dielën.

Plani 20-pikësh, i përgatitur nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, parashikon:

  • Ndërprerje të menjëhershme të luftimeve;
  • Lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve izraelite të gjalla, si dhe dorëzimin e trupave të pengjeve të vrarë;
  • Shkëmbimin e tyre me qindra të burgosur palestinezë;
  • Përcaktimin e një administrate të përkohshme në Gaza nga një komitet palestinez “teknokrat dhe apolitik”, nën mbikëqyrjen e një organi të ri ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, që do të drejtohet nga Trump;
  • Dërgimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare në territorin e Gazës pas arritjes së marrëveshjes.

Trump paralajmëroi: “Nëse kjo marrëveshje e fundit nuk pranohet, gjithë ferri, si asnjëherë më parë, do të shpërthejë kundër Hamas-it. Do të ketë paqe në Lindjen e Mesme në një mënyrë ose në një tjetër.”

Mediuesit arabë dhe turq po ushtrojnë presion mbi Hamas për një përgjigje pozitive, por një figurë e lartë e grupit ka sinjalizuar se ka gjasa që plani të refuzohet. Burime nga Gaza bëjnë me dije se kreu ushtarak i Hamas-it është shprehur kundër propozimit amerikan, ndërsa disa drejtues politikë të grupit në Katar janë më të hapur ndaj planit me disa ndryshime, por kanë ndikim të kufizuar pasi nuk kontrollojnë pengjet.

Një nga pengesat kryesore është kërkesa që të gjithë pengjet të dorëzohen brenda 72 orëve të para të armëpushimit, duke ua hequr Hamas-it mjetin kryesor të pazareve. Aktualisht besohet se 48 pengje mbahen ende në Gaza, nga të cilët 20 mendohet të jenë gjallë.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se refuzimi i marrëveshjes do të ketë “pasoja shumë të rënda” për Hamas-in. Trump ka deklaruar se nëse grupi nuk pranon, Izraeli do të ketë mbështetjen e SHBA për “të përfunduar punën kundër kërcënimit të Hamas-it”. Netanyahu gjithashtu tha se Izraeli “do ta përfundojë punën” në rast refuzimi.

Plani ka marrë mbështetje nga disa udhëheqës evropianë dhe të Lindjes së Mesme. Autoriteti Palestinez e ka cilësuar përpjekjen e presidentit amerikan si “të sinqertë dhe të vendosur”. Megjithatë, Pakistani ka shprehur rezerva, duke thënë se pikat e planit nuk përputhen me një draft të përgatitur nga një grup vendesh me shumicë myslimane.

Nisma vjen në një kohë kur Izraeli po zhvillon një ofensivë të ashpër në qytetin e Gazës. Ministri izraelit i Mbrojtjes ka thënë se forcat janë duke “ngushtuar rrethimin” rreth qytetit, ndërsa qindra mijëra banorë janë detyruar të largohen drejt zonës “humanitare” në Al-Mawasi. Zyrtarë të OKB kanë paralajmëruar se idetë për një “zonë të sigurt” në jug janë “farsë”, pasi goditjet ajrore vazhdojnë të bien mbi objektet ku strehohen civilë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamas në Gaza, të paktën 66,288 persona janë vrarë nga ofensiva izraelite që nga 7 tetori 2023, kur rreth 1,200 njerëz u vranë në sulmin fillestar të Hamas-it në Izrael.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu