
Detaje tronditëse janë zbuluar nga ngjarja e rëndë në Lezhë, ku një 65-vjeçar u gjet i dhunuar dhe më pas i qëlluar për vdekje me armë zjarri, në zonën e Tales. Viktima është identifikuar si Gjergj Tusha, 65 vjeç, banues në Pllanë të Lezhës.
Sipas burimeve policore, i moshuari ishte pajisur tre herë me urdhër mbrojtjeje nga i biri, në periudha të ndryshme kohore:
- Në vitin 2020, për dhunë psikologjike.
- Në vitin 2022, për dhunë fizike dhe psikologjike.
- Në vitin 2023, i biri është arrestuar për dhunë ndaj tij.
Trupi i pajetë i 65-vjeçarit u gjet në breg të lumit Mat, rreth orës 17:30 të pasdites, pasi vajza e tij kishte raportuar humbjen e kontaktit me të më herët gjatë ditës. Nga këqyrja paraprake, viktima kishte shenja dhune dhe një plagë të dyshuar nga armë zjarri.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të krimit, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në operacion janë përfshirë edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Policia e Shkodrës, që po kontrollojnë zonën për të lokalizuar autorët e dyshuar.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivet e mundshme apo personat e dyshuar, ndërsa hetimet janë në vijim.