Kryeministri Edi Rama ndodhet në Danimarkë ku po mbahet Komuniteti Politik Europian.

Në fjalën e tij për mediat para nisjes së samitit, Rama foli edhe në lidhje me ministren virtuale të kabinetit “Rama 4”, Diella.

Ai u shpreh se si një ministre ndryshe është e qartë që do të përballet me kritika, por që deri tani është vërtetuar se gjithçka funksionon.

“Sa i përket ministrit AI, kjo është diçka e re, dhe si gjithçka e re duhet të përballet edhe me kritika që është diçka pozitive, por kemi vërtetuar deri më tani se ka funksionuar. Ka nisur si asistent virtual për shërbimet publike për qytetarët dhe ka ndërvepruar me rreth 1 milion njerëz dhe ka lëshuar 36 mijë dokumente deri më tani me vulë digjitale të cilën askush nuk e ka kontestuar. Së dyti, po punon për transferimin e legjislacionit europian në legjislacionin tonë për të ndjekur bisedimet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe së treti, tani po trajton tenderat publike që është një punë në progres, pra kritikat janë të mira, por ajo është më e mirë”, tha ai.

Ndërkohë kryeministri ka deklaruar se vendi ynë vijon të mbetet nën shënjestrën e sulmeve kibernetike nga Irani, megjithatë pranoi se ende siguria jonë nuk është thyer, për shkak se sipas tij Shqipëria ka një ndër siguritë kibernetike më të mira në Europë.

“Sa i përket shënjestrimit për sulme kibernetike, ne kemi sot një prej mbrojtjeve më të forta kibernetike në Europë. Ndonëse jemi ende shënjestër e një armiku, Iranit, ne po i zmbrapsim dhe ata nuk po arrijnë ta thyejnë mbrojtjen tonë kibernetike”, përfundoi kreu i qeverisë./Tema

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu