Të paktën 69 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.9 goditi Filipinet qendrore vonë të martën.

Provincia e Cebu, që pësoi dëmet më të mëdha, shpalli gjendjen e katastrofës herët të mërkurën, pasi mijëra persona kaluan natën në rrugë për shkak të pasgoditjeve të përsëritura.

Një banor i Cebu-së i tha BBC-së se ishte ndër ata që qëndruan në rrugë, duke shtuar se furnizimi me energji dhe ujë ishte ndërprerë. Ai tha se rreth tij dëgjohej zëri i fëmijëve që qanin, duke theksuar se ata ishin “të traumatizuar”.

Tërmeti erdhi pak më shumë se një javë pas përplasjes së dy tajfuneve me radhë që kishin vrarë më shumë se 20 persona.

Shumica e viktimave të tërmetit ishin nga Bogo, një qytet i vogël në një nga ishujt më të mëdhenj të Visayas-it, rajoni qendror i Filipineve – dhe vendi më i afërt me epiqendrën e tërmetit.

Imazhet që vijnë nga Bogo tregojnë qese trupi të vendosura në rrugë dhe qindra njerëz që po trajtohen në spitalet me çadra. Zyrtarët paralajmëruan për “shumë dëme” të shkaktuara nga tërmetet.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për vullnetarë me përvojë mjekësore për të ndihmuar në përballimin e plagëve.

Rrugët e përthyera dhe të çara, si dhe urat e rrëzuara po e bëjnë të vështirë qasjen për shërbimet emergjente. Linjat elektrike në shumë vende janë prishur, gjë që e ka vështirësuar edhe komunikimin me të prekurit.

Shtatë nga ata që vdiqën në tërmetin e të martës në Bogo kishin jetuar në një fshat të ndërtuar për të strehuar viktimat e Tajfunit Haiyan, i cili goditi Filipinet qendrore 12 vjet më parë, duke marrë më shumë se 6,000 jetë.

Në komunën e San Remigio, një ndeshje basketbolli po luhej kur goditi tërmeti, tha një zyrtar i emergjencës për BBC-në. Afërsisht 20 persona u dërguan në spital, dhe të paktën një person vdiq më vonë.

Zyrtarët nga policia dhe shërbimi zjarrfikës kombëtar thonë se po i japin prioritet operacioneve të kërkim-shpëtimit, rikthimit të energjisë dhe shpërndarjes së ndihmave për të prekurit.

Të mërkurën në mbrëmje, Bogo u godit nga një pasgoditje tjetër, me magnitudë 4.7, me dridhje të ndjera edhe në qytetin e Cebu-së dhe ishujt fqinjë Leyte. Nuk ka të dhëna për viktima.

Kryepeshkopi i Cebu-së ka këshilluar besimtarët të qëndrojnë larg kishave, deri në përfundimin e vlerësimeve strukturore. Kjo thirrje është e rëndësishme, pasi Cebu ishte një nga ishujt e parë filipinas të kolonizuar nga Spanja në shekullin e 1500, dhe ka shumë kisha të vjetra.

Pamjet e mëparshme treguan se kulla e një kishe katolike të vjetër lëvizte dhe më pas pjesërisht u shemb në një lokalitet.

Filipinet përbëhen nga mijëra ishuj, dhe agjencia kombëtare e katastrofave me bazë në kryeqytetin Manila është përgjegjëse për publikimin e shifrave zyrtare të viktimave nga tajfunet dhe tërmetet.

Megjithatë, numërimi zakonisht është i ngadaltë, pasi shifrat i nënshtrohen kontrolleve rigorozë – prandaj është e mundur që numri i të vdekurve të rritet.

Filipinet janë shumë të prekshme nga katastrofat natyrore. Ato ndodhen në “Unazën e Zjarrit” gjeologjikisht të paqëndrueshme – e quajtur kështu për shkak të numrit të lartë të tërmeteve dhe vullkaneve që ndodhin aty.

Shtresat e sipërme të Tokës në rajonin e gjerë të Paqësorit janë të ndara në seksione – pllaka tektonike – të cilat lëvizin relativisht me njëra-tjetrën.

Ky shtet ishullor në Azinë Juglindore ndodhet gjithashtu në rrugën e tajfuneve që përshkojnë Oqeanin Paqësor çdo vit.

Më shumë se një duzinë njerëzish humbën jetën pasi stuhia tropikale Bualoi dhe tajfuni Ragasa goditën Filipinet muajin e kaluar. Qindra mijëra njerëz u evakuuan dhe disa mbeten të zhdukur.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu