
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar ndaj magjistratit me inicialet Sh.L., gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vendosjen e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40%, deri në një vit”.
Kërkesa bazohet në 13 ankesa të depozituara ndaj tij, për vonesa të përsëritura në zbardhjen e vendimeve gjyqësore në periudhën 2021–2023, përtej afateve ligjore, në disa raste deri në katër vite.
Sipas raportit të Inspektoratit, mosrespektimi i afateve nuk ishte episod i izoluar, por një model i përsëritur, që “ka cënuar rëndë imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor“. Mungesa e arsyetimeve në kohë ka penguar palët të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe ka vonuar ekzekutimin e vendimeve.
Pavarësisht bashkëpunimit të gjyqtarit gjatë hetimit, ILD vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e tij përbëjnë “shkelje të rëndë disiplinore”, duke propozuar ndaj tij një ndëshkim financiar në përputhje me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi final do të merret nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
/tvklan.al