
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë sot në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te roli i Inteligjencës Artificiale në arsimin e lartë dhe bëri thirrje për hapjen e hapësirave të posaçme në çdo universitet për përdorimin e saj nga studentët dhe pedagogët.
“Duhet të krijojmë sa më parë hapësira për t’iu dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet, por edhe kuriozitetin e tyre intelektual për Inteligjencën Artificiale. Mbi të gjitha, ajo çfarë e bën ekzaltuese AI-në, është fakti që ka pak rëndësi në cilën pikë të globit ndodhesh, ose në cilin rresht të klasifikimit ndodhet vendi ku ti jeton. Përmes Inteligjencës Artificiale mund të bëhen kapërcime epokale, që përndryshe do të ishin të pamundura”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se qeveria do të reflektojë këtë prioritet edhe në buxhetet e viteve të ardhshme, me synim mbështetjen e çdo sfide që lidhet me zhvillimin e AI në sistemin arsimor.
“U bëj thirrje pedagogëve dhe studentëve që të punojmë së bashku për rritjen e komponentit të Inteligjencës Artificiale në universitetet tona”, theksoi kreu i qeverisë.