
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, zhvilloi një takim me Ngarkuaren me Punë të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, për të diskutuar agjendën e tij ligjvënëse dhe për të identifikuar fusha bashkëpunimi me interesat e SHBA-së.
Gjatë takimit, u trajtuan çështje kyçe, të cilat sipas SHBA-së janë thelbësore për krijimin e një fronti të përbashkët kundër sfidave ndërkombëtare dhe për garantimin e sigurisë së vendit.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Ministrin e ri për Marrëdhëniet me Parlamentin Toni Gogu për të kuptuar agjendën e tij ligjvënëse dhe për të identifikuar fusha që përputhen me interesat e Shteteve të Bashkuara. Ata diskutuan shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve, të cilat SHBA i konsideron thelbësore në paraqitjen e një fronti të përbashkët kundër kundërshtarëve tanë dhe për të mbajtur vendet tona të sigurta” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Diplomatja amerikane ka nisur një sërë takimesh njohëse me anëtarët e kabinetit të ri qeveritar, ndërsa më herët dje vizitoi Ministren e Jashtme dhe atë të Drejtësisë.