Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore në Hajmel të Zadrimës, u zhvillua një aktivitet i posaçëm, që shënon një hap të rëndësishëm drejt regjistrimit të veshjes zadrimore si “Pasuri Kombëtare”, duke trashëguar e transmetuar elementë të lashtë që vijnë nga shekujt.

Aktiviteti “Veshja e Nuses Zadrimore”, u organizua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, për një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë jomateriale të fushës së Zadrimës.

Qëllimi i aktiviteti është mbajtja gjallë e dijebërjeve tradicionale si garanci jo vetëm për vazhdimësinë e jetës komunitare, por edhe për zhvillimin ekonomik e turistik të zonës.

Veshja e dasmës zadrimore që ndër të tjera shoqërohet dhe me këngë, valle, gosti me elemente kulinarie nga fusha e Zadrimës është produkt i një sërë dijebërjesh, që nga rritja e krimbit të mëndafshit deri tek punimi i pëlhurërave të fisme në vegë, qëndisja me motive gjeometrike, me bazë kromatike të pasur.

Gjatë aktivitetit u improvizua “marrja e nuses” sipas traditës së hershme, e shoqëruar me muzikë dhe valle tradicionale, duke sjellë një atmosferë feste.

Krahina e Zadrimës, mes Shkodrës dhe Lezhës, është shembull i gjallë i ruajtjes me fanatizëm ndër breza të trashëgimisë kulturore, sidomos përmes veshjes së saj tipike zadrimore, një pasuri etnografike e çmuar që vazhdon të përcillet me krenari nga brezi në brez. /ora/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu