Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi për herë të parë publikisht se Kuvendi i Shqipërisë ka krijuar një mekanizëm ku çdo qytetar, grup qytetarësh apo komunitet mund të depozitojë peticione ose iniciativa për institucionet e ndryshme.

“Për herë të parë, dhe meqë është komunikimi i parë publik për këtë çështje, dua të ftoj të gjithë qytetarët dhe t’u them që Kuvendi i Shqipërisë më në fund ka një mundësi, ka një derë, ka një adresë ku çdo qytetar apo grup qytetarësh apo komunitete, të cilat kanë një problematikë me një institucion të caktuar, kanë një çështje për të ngritur, kanë një peticion për të depozituar (edhe pse neni ka qenë në rregullore, neni për peticionet, ka qenë një rrëmujë brenda rregullores dhe që duhet riparë), tani ka një derë ku çdo nismë qytetare, ka një adresë, ku çdo iniciativë qytetare mund të depozitohet dhe do të ndiqet me kujdes dhe me prioritet. Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë këtij komisioni edhe detyrën për të monitoruar rezolutat. Pra kemi mundësinë që përmes një komisioni, Kuvendi dhe deputetët të mbahen të informuar. Miratoi Kuvendi i Shqipërisë një rezolutë për këtë çështje, si po ndiqen porositë dhe detyrat që la Kuvendi për atë çështje? Ky është komisioni i cili do ta ketë këtë detyrë.” tha Balla.

Ai shtoi se komisioni i ri, i ngritur për këtë qëllim, ka për detyrë të monitorojë dhe ndjekë çdo iniciativë qytetare, duke e marrë shembull nga Bundestagu, Parlamenti Europian dhe Kongresi Amerikan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu