
Noteres Sanja Telhallari i janë sekuestruar 18 asete me vlerë 3 milionë euro me burime të dyshuara kriminale.
Bëhet fjalë për 13 pasuri të paluajtshme, mes tyre një vilë luksoze në kompleksin rezidencial “Rolling Hills”. Po ashtu, në sekuestro janë vënë edhe 5 llogari bankare, vlera e të cilave ende nuk dihet.
Sipas policisë, 35-vjeçarja Telhallari dyshohet se i ka përfituar gjatë kryerjes së detyrës si notere.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Nënshkrimi”.
Sekuestrohen 18 asete me vlerë 3 milionë euro, me burime të dyshuara kriminale, që dyshohet se i ka përfituar një 35-vjeçare, gjatë kryerjes së detyrës si notere.
Asetet e sekuestruara: 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.
Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje.
Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”.
Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.
Hetimet dhe veprimet operacionale, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./panorama