
Kalaja e Elbasanit, një ndër monumentet më të rëndësishme historike të qytetit, po kthehet çdo ditë e më shumë në një qendër tërheqëse për vizitorët. Dikur nyje e rëndësishme e rrugës antike “Via Egnatia”, sot kalaja është një simbol i gjallë i historisë, kulturës dhe bashkëjetesës fetare.
Brenda mureve të saj shekullore gjenden Xhamia e Mbretit dhe Kisha Ortodokse “Shën Maria”, ndërsa shumë pranë ndodhet edhe Kisha Katolike, duke e bërë këtë zonë një shembull unik të harmonisë ndërfetare. Përveç vlerave shpirtërore, rrugicat karakteristike, arkitektura osmane dhe gjurmët e qytetërimit të hershëm e bëjnë kalanë një udhëtim në kohë për çdo vizitor.
Një tjetër element që e bën kalanë të paharrueshme është mikpritja tradicionale elbasanase, zonjat e vjetra shpesh hapin dyert e shtëpive brenda mureve, duke ofruar ëmbëlsira e kafe, si edhe rrëfime për historinë e qytetit. Ky gjest i thjeshtë, por i çmuar, kthehet në një përvojë autentike për turistët.
Falë nismave të rivitalizimit dhe interesit në rritje për turizmin kulturor, Kalaja e Elbasanit po merr një jetë të re. Kjo hapësirë historike ëshë një destinacion, që i fton vizitorët të zbulojnë historinë, kulturën dhe mikpritjen që e kanë bërë Elbasanin një qytet të veçantë në zemër të Shqipërisë./Koha jone