
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka sjellë një analizë të thelluar mbi figurën dhe ndikimin e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk.
I ftuar në emisionin Revieë, Mediu mbërriti në studio me librin më të fundit të Kirk, duke ndarë për herë të parë detaje nga takimi personal që ka pasur me të dhe nga njohja e tij me veprimtarinë e këtij aktivisti të së djathtës amerikane.
“E kam takuar Charlie-n në një aktivitet në SHBA, dhe që nga ajo kohë më ka lënë përshtypje si një debatues i jashtëzakonshëm. Ai u jepte hapësirë të gjithëve për të bërë pyetje, madje edhe kur përballej me kundërshti apo ofendime. Charlie ndërtoi një armaturë të fuqishme rreth lëvizjes së tij, e cila kishte në thelb masivitetin dhe ndikimin real në proceset zgjedhore. Ai arriti të mobilizojë rininë universitare dhe ndryshoi qasjen e saj, duke e kthyer një pjesë të madhe të saj – që më parë mbështeste rreth 70% të majtën – drejt një alternative tjetër politike,” u shpreh Mediu.
Mediu tregoi se Kirk ishte një figurë që u rrit politikisht jashtë sistemit tradicional ndërsa tha se ai u u kthye në një problem të madh për politikën amerikane.
“Charlie Kirk u kthye në një problem të madh jashtëzakonisht për faktin se ai ndërtoi një nga lëvizjet më të jashtëzakonshme që nuk ishte parë ndonjëherë. Nuk ishte pjesë e strukturës zyrtare të Partisë Republikane, por ndërtoi një lëvizje me debat të hapur dhe me ndikim real në terrene ku ideologjia konservatore përballej me kundërshtimin më të madh. Ai nuk kërkonte gjë tjetër, përveçse një Amerikë me familje të shëndosha, me vlera dhe tradita”, – shtoi ai.
Mediu tha se ishte parë dhe mundësia e një vizite të Charlie Kirk në Shqipëri.
“Ishte diskutuar që Charlie mund të kishte një mundësi të vizitonte edhe Shqipërinë. Unë besoj se nevoja për një rini konservatore është reale edhe këtu. Vlerat, familja dhe tradita janë të domosdoshme për stabilitetin e shoqërisë shqiptare,” – përfundoi ai.
© SYRI.net







