
Tiranë, 18 shtator 2025 – Pas daljes nga salla e Kuvendit ku u votua qeveria e re në një seancë të tensionuar, e cila u shoqërua me zhurma dhe ndërprerje të vazhdueshme nga opozita, ish-kryeministri Sali Berisha bëri deklarata të ashpra kundër kryeministrit Edi Rama.
Berisha e akuzoi Ramën për “poshtërim ekstrem” të Kuvendit dhe e krahasoi me liderë autoritarë.
“Një akt tipik prej Kim Jong-Uni. As Maduro nuk guxonte të bënte një akt të tillë.
As Maduro nuk guxonte të poshtëronte në këtë shkallë parlamentin,” – u shpreh Berisha.
Ai e cilësoi Ramën si “kryehorr të kombit” dhe bëri thirrje për një reagim popullor:
“Për çdo shqiptar ka vetëm një mision, shporrjen e tij një minutë e më parë nga pushteti.
Kjo është një thirrje për çdo qytetar të këtij vendi që të ngrihet në mision për të çliruar shqiptarët dhe Shqipërinë nga një kryehorr, i cili nuk ka asnjë dallim nga Elvis Doçi, nga Suel Çela, nga Bahri Bajri.”
Berisha akuzoi Ramën se “i vë drynin parlamentit sipas dëshirës së tij” dhe paralajmëroi një përballje të fortë politike:
“Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton.
Përgjigja është ajo që meritojnë të gjithë kryehorrat e kombeve.”
Më pas Berisha mblodhi me urgjencë grupin e tij parlamentar për të marrë vendimin se si do të sillet më tej opozita pas këtij zhvillimi të papritur.
“Ndaj të nderuar deputetë, ne duhet të kalojmë në veprime, veprime dhe vetëm veprime.
Ai nuk humbi kohë ndaj nesh, ai tregoi fytyrën e tij, ne do tregojmë betejën tonë për të drejtën, për Kushtetutën, për parlamentin, për qytetarin.
Kjo mbledhje sigurisht që është emergjente, e jashtëzakonshme sepse situata është e jashtëzakonshme.
Asnjëri nga ne, asnjë shqiptar nuk do përfytyronte se ky bastard i xhelatëve komunistë, mund të sillej ndaj Kushtetutës dhe parlamentit në këtë mënyrë.
Kështu që unë u ftoj ju të diskutojmë, të vendosim bashkërisht për përgjigjen që do t’i japim këtij akti të pashembullt.
Këtij akti që tejkalon edhe imagjinatën më të sëmurë, përveç imagjinatës së tij, i cili këtë e kishte të përgatitur, sepse e paralajmëroi disa herë që do votojmë po nuk dëgjuat Diellën.
Këtu kemi të bëjmë me një kompleks, me një konglomerat.
Në bashkëfajësi të plotë me të është presidenti i Republikës që i dha levën për këtë qëllim.
Droga është kryefjala e këtij regjimi në çdo anë, por ne duhet të marrim vendimet tona.
Ne jemi para një fakti të paprecedent dhe ne duhet t’i përgjigjemi me çdo kusht në mënyrën më të fuqishme, me veprime, këtij akti të sotëm.”