
Në një konferencë ndërkombëtare u prezantua projekti i Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame, i cili do të vendoset në godinën historike të Sarajeve në qendër të Tiranës. Ky projekt vjen si një hap i rëndësishëm për pasurimin e ofertës kulturore të kryeqytetit dhe për ruajtjen e trashëgimisë islame si pjesë integrale e kulturës shqiptare dhe evropiane.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet, e cilësoi muzeun si një vlerë të shtuar për Tiranën dhe një dëshmi që hedh dritë mbi lidhjen e kulturës islame me atë mesdhetare dhe evropiane.
“Ky muze nuk është thjesht një hapësirë ekspozuese, por një dëshmi e rëndësishme historike që pasuron peizazhin kulturor të Tiranës dhe plotëson një boshllëk në interpretimin e trashëgimisë sonë. Është një domosdoshmëri për t’u treguar brezave të ardhshëm,” – u shpreh Rama.
Muzeu do të jetë pjesë e një “gjerdani arti” që po ndërtohet në kryeqytet, duke u lidhur me projekte të tjera si Teatri i Ri Kombëtar, Galeria Kombëtare, Muzeu i Ri Kombëtar, si dhe muzeu “Besa”, që tregon historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Projekti do të ndërtohet nga arkitekti i njohur Hernandes, i cili ka realizuar edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë në Shkodër dhe ka marrë përsipër transformimin e Muzeut të Ri Kombëtar në Tiranë. Rama u shpreh se ky projekt garanton një muze bashkëkohor, dinamik dhe të gjallë, që do të zhvillojë ekspozita, performanca dhe aktivitete të ndryshme kulturore.
“Qëllimi ynë është të kemi një muze që do të evoluojë vazhdimisht dhe të jetë një hapësirë e gjallë për qytetarët dhe vizitorët. Synojmë që deri në Shqipërinë 2030, të kemi hapur dyert e këtij muzeu,” – theksoi Kryeministri.
Ky projekt synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë islame në një mënyrë që reflekton historinë dhe identitetin e qytetit, duke e kthyer godinën e Sarajeve në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe historisë shqiptare.