
Në selinë e Partisë Socialiste, pasditen e së martës u zhvillua një mbledhje e anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u diskutua dhe u finalizua kërkesa për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Dokumenti u firmos nga të gjithë këshilltarët e pranishëm dhe do të paraqitet në mbledhjen e këshillit që do të mbahet më 23 shtator, në orën 16:00.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se diskutimet nuk kanë qenë të lehta. Disa këshilltarë socialistë hezituan fillimisht të firmosnin, duke kërkuar që në tekstin e kërkesës të pasqyrohej puna dhe kontributi i Veliajt për qytetin.
Sipas burimeve, Aldo Mërkoçi, ish-kreu i lëvizjes MJAFT! dhe këshilltar i Arbjan Maznikut, ka kërkuar që në deklaratë të shtohej një paragraf që theksonte se “Veliaj i ka shërbyer qytetit dhe ka bërë punë të mirë gjatë mandatit të tij”. Pas kësaj kërkese, ai vendosi të firmoste dokumentin.
Një tjetër këshilltar, Eridian Saljanji, ka shprehur vështirësinë për të votuar shkarkimin e Veliajt, për shkak të bashkëpunimit shumëvjeçar me të. Ai tha se nëse do t’i duhej të zgjidhte mes postit të tij dhe Veliajt, do të ishte gati të “sakrifikonte veten”.
Megjithatë, në fund të mbledhjes, të gjithë këshilltarët e pranishëm firmosën dokumentin për shkarkimin e kryebashkiakut.
Procedura ligjore dhe dilemat
Vendimi përfundimtar për shkarkimin e Erion Veliajt do të merret nga Këshilli i Ministrave, ndërsa kryebashkiaku do të ketë 15 ditë kohë për ta ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa për shkarkim bazohet në nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili parashikon mundësinë e shkarkimit për shkak të mungesës në detyrë për më shumë se tre muaj. Megjithatë, ky nen lë hapësirë për interpretime të ndryshme, pasi nuk përcakton qartë nëse mungesa duhet të jetë e arsyetuar apo jo.
Në rastin e Veliajt, mungesa lidhet me arrestimin e tij, ndërkohë që ndaj tij nuk ka ende një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak u drejtua nga Megi Fino dhe zgjati rreth një orë e gjysmë. Vendimi përfundimtar pritet të merret javën e ardhshme, me një votim që do të përcaktojë të ardhmen politike të kryebashkiakut të Tiranës.
Tags: Erion Veliaj, shkarkimi i Veliajt, Këshilli Bashkiak i Tiranës, Partia Socialiste, Aldo Mërkoçi, Megi Fino, politika, Shqipëria, SPAK, arrestimi i Veliajt.