Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se opozita nuk duhet të dorëzohet përballë qeverisë aktuale dhe të luftojë në çdo hapësirë, duke u shprehur se nuk duhet të pranohet asnjë pjesëmarrje që legjitimon farsën elektorale të Edi Ramës.

“Duke kërkuar këtë nga kryesia, unë di se ka një debat të marrim pjesë apo jo në parlament.
Ua them ju personalisht, unë mendoj se në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj.
Dhe në qoftë se ka një gjë themelore që kërkohet nga secili prej nesh, kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me narkodiktaturën, organizatën kriminale që ka uzurpuar pushtetin.”

Duke folur para kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha tha se në këtë moment kërkohet një ribrendim dhe një ndryshim i madh i strategjisë përballë “narkodiktaturës”, siç e quajti qeverinë aktuale.

“Në një diktaturë duhet të falënderojmë Zotin që na jep mundësinë ta luftojmë atë. Ky angazhim kërkon energji, përkushtim dhe përdorimin e të gjitha kapaciteteve për t’u kthyer shqiptarëve votën e lirë, e cila me Edi Ramën nuk ndodh kurrë,” tha Berisha.

Ai ripërsëriti se PD nuk duhet të njohë zgjedhjet e fundit, duke theksuar se njohja e tyre do të e bënte partinë bashkëautore në një farsë elektorale, më të shëmtuarën në 32 vite.

Berisha gjithashtu bëri një përmbledhje të analizës së qindra video-materialeve dhe dokumenteve nga dita e votimit, të cilat, sipas tij, tregojnë manipulim masiv të kutive të votimit, përfshirë:

  • Ndërrime të kutive pa dokumente ose procesverbale
  • Rezultate të manipuluara nga diaspora (91–93% për partinë në pushtet)
  • Votime të kontrolluara në mënyrë të banditeske nga policia, administrata dhe komisionerët

“Gjë e kundërta do të ishte tradhti ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Njohja e këtyre zgjedhjeve do të na bënte bashkëautorë në krimin monstruoz të farsës elektorale,” theksoi Berisha.

Deklaratat e tij theksojnë nevojën për angazhim maksimal dhe forma të reja veprimi për të luftuar sistemin aktual, duke mos lënë hapësira bosh për qeverinë e Edi Ramës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu