
Erogen Millan Vaso (Brajovic), personi që dyshohet se ishte objektivi i atentatit të së hënës në qendër të Shkodrës, ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes së rëndë, ku mbeti i plagosur ndërsa dy miqtë e tij, Armando Pali dhe Liridon Kraja, humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri.
Në një deklaratë publike, Vaso shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e miqve të tij dhe ngushëllon familjarët e viktimave:
“Në këto momente të vështira jo vetëm për mua, i shpreh ngushëllimet e ndjera familjarëve të dy miqve të mi që ishim së bashku sot në mëngjes në një kafe në qendër të Shkodrës. Ata ishin qytetarë model, familjarë të respektuar nga komuniteti. Dora e pabesë e një vrasësi i shkëputi nga jeta teksa ishim bashkë dhe për mua personalisht është një dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet. Qofshin në paqe me Zotin Armando dhe Geridoni! Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre! Gjithashtu, i uroj shërim të shpejtë vajzës që u plagos në këtë ngjarje.”
Vaso mohon kategorikisht çdo përfshirje në grupe kriminale apo lidhje me emra të përmendur në media, duke u shprehur se është një sipërmarrës që menaxhon disa biznese të trashëguara nga familja e tij.
“Distancohem plotësisht nga informacione që lidhin personin tim me emra dhe grupe të caktuara në Shkodër. Jam sipërmarrës në disa biznese, një pjesë të cilave i kam trashëguar nga babai im, i cili ka qenë gjithashtu sipërmarrës deri në fund të jetës, ish-futbollist i Shkodrës dhe kombëtares shqiptare. Kam qenë vetë futbollist i Vllaznisë dhe ish-president i klubit të futbollit Tërbuni në Pukë.”
Ai shtoi se familja e tij ka një histori të gjatë përsekutimi politik para viteve ‘90, por edhe pas tyre, për shkak të përfaqësimit të komunitetit malazez në Shkodër.
“Për interesat e këtij komuniteti dhe të Shkodrës kam shërbyer me korrektësi për disa vite si anëtar i këshillit bashkiak, ashtu sikurse kishte shërbyer edhe një nga miqtë e mi të afërt që humbi jetën sot,” – theksoi Vaso.
Në fund të reagimit, ai shprehu besimin se drejtësia do të zbardhë motivet e këtij atentati tragjik.
“Jam informuar në spital që autori është ndaluar dhe shpresoj të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë. Sa për lidhje të tjera që aludohen në media, sqaroj se duhet lënë institucionet e ligjit të trajtojnë këto çështje,” – përfundoi ai.
Autori i dyshuar i atentatit, Ragip Gila, u arrestua pak orë pas ngjarjes pasi u aksidentua me makinën e vjedhur me të cilën u largua nga vendngjarja.