
Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar liderëve evropianë të ndërpresin menjëherë blerjen e naftës nga Rusia, duke paralajmëruar se këto të ardhura po ndihmojnë Moskën të vazhdojë financimin e luftës kundër Ukrainës.
Gjatë një bisede telefonike me liderët e “Aleancës së të Vullnetarëve”, të mbledhur në Paris, Trump theksoi se vetëm vitin e fundit, Rusia ka përfituar 1.1 miliardë euro nga shitja e karburanteve tek Bashkimi Evropian. Lajmi u raportua nga Reuters, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.
“Presidenti Macron dhe udhëheqësit evropianë e thirrën Presidentin Trump gjatë takimit të tyre. Trump theksoi se Evropa duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse, e cila po financon drejtpërdrejt luftën në Ukrainë,” – tha zyrtari amerikan për Reuters.
Trump paralajmëron edhe për Kinën
Përveç Rusisë, Trump kërkoi që BE-ja të rrisë presionin ekonomik ndaj Kinës, duke argumentuar se Pekini po mbështet indirekt përpjekjet ushtarake të Moskës.
“Nëse Rusia ka përkrahjen ekonomike të Kinës, lufta nuk do të mbarojë kurrë,” – është shprehur Trump, sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë.
BE planifikon ndalimin e importeve nga Rusia deri në 2028
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka propozuar një ligj për të ndërprerë gradualisht importet e naftës dhe gazit rus deri më 1 janar 2028.
Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Perëndimin, Rusia ka thelluar lidhjet me Kinën dhe Indinë, të cilat janë shndërruar në blerësit kryesorë të naftës së saj.
Gjatë vizitës së fundit të Vladimir Putin në Pekin, Rusia dhe Kina firmosën një marrëveshje të re në sektorin energjetik. Sipas Ministrit rus të Energjisë, Sergei Tsivilev, kompania shtetërore “Rosneft” do të furnizojë Kinën me 2.5 milion ton shtesë naftë bruto në vit, përmes tubacioneve që kalojnë në Kazakistan.
Ky zhvillim pritet të rrisë edhe më tej varësinë ekonomike të Moskës nga Lindja, ndërsa BE-ja vijon të diskutojë hapat për të reduktuar varësinë nga energjia ruse.