
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët shqiptarë lidhur me një rast mashtrimi online të identifikuar përmes një platforme të vetëquajtur TXEX, e cila prezantohet si aplikacion për investime në kriptovaluta.
Sipas njoftimit, kjo platformë nuk është e regjistruar dhe nuk ka asnjë licencë për të ofruar shërbime financiare në Shqipëri, duke operuar jashtë çdo kuadri ligjor. Nga hetimet e AKSK-së dhe denoncimet e shumta të qytetarëve, është konstatuar se aktiviteti i saj përmban të gjitha elementet e një skeme mashtruese digjitale.
Si funksionon mashtrimi:
- Reklama të rreme dhe joshëse në rrjete sociale si Instagram dhe TikTok;
- Krijimi i grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, WhatsApp dhe Signal;
- Prezantimi i fitimeve të fabrikuara për të tërhequr viktima;
- Kërkesa për pagesa shtesë nën justifikimin e “verifikimit” apo “tërheqjes së fondeve”;
- Mbledhja e dokumenteve personale (ID, foto) duke shtuar rrezikun e vjedhjes së identitetit digjital.
Pasojat për qytetarët:
- Humbje të parikuperueshme financiare;
- Cënim i privatësisë dhe i identitetit personal;
- Keqpërdorim i të dhënave nga rrjete kriminale.
AKSK kujton se asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri dhe se premtimet për fitime të shpejta janë tipike për mashtrimet online. Po ashtu, asnjë platformë serioze nuk kërkon pagesa shtesë për tërheqjen e fondeve.
Çfarë duhet të bëjnë qytetarët:
- Të mos kryejnë transaksione financiare me platformën TXEX;
- Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura;
- Të raportojnë rastet e dyshimta pranë autoriteteve përkatëse.
AKSK thekson se siguria kibernetike është pjesë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe mbrojtja nga mashtrimet digjitale kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të qytetarëve me institucionet përgjegjëse.