Tiranë, 25 Gusht 2025 – Ka nisur sot shpërndarja e librave falas për nxënësit e arsimit parauniversitar, duke përfshirë arsimin bazë dhe kategori në nevojë të nxënësve të shkollave të mesme. Programi qeveritar do të mbështesë rreth 236 mijë nxënës në të gjithë vendin, duke garantuar barazi në arsim dhe lehtësi për buxhetin e familjeve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nga shkolla 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, ku ndoqi shpërndarjen e librave, deklaroi se për këtë program janë vënë në dispozicion 9 milion euro, duke siguruar tekste falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe për kategori specifike të shkollave të mesme në nevojë ekonomike ose sociale.

“Ky program ka për qëllim të garantojë jo vetëm barazi në arsim, por edhe lehtësi për familjet. Financimi bëhet nga qeveria përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,” tha Manastirliu.

Risitë për vitin e ri shkollor 2025-2026

Përveç shpërndarjes së librave, po finalizohen edhe punimet për rehabilitimin dhe rindërtimin e disa shkollave që do të hapin dyert më 8 shtator. Ministrja nënvizoi gjithashtu zgjerimin e programeve digjitale në laboratorët inteligjentë në shkolla, përfshirë kodimin dhe mësimet e para të inteligjencës artificiale për klasën e katërt. Aktualisht janë më shumë se 340 laboratorë smart ku nxënësit do të përfshihen në kurrikulën e teknologjisë dhe informacionit përmes programit Codmankey.

Programi Kombëtar i Trajnimit dhe Zhvillimit Profesional të Mësuesve do të vijojë këtë vit, me më shumë se 2200 mësues të trajnuar në bashkëpunim me universitetet publike, duke u fokusuar tek metodat inovative të mësimdhënies, teknologjia, shkencat natyrore, TIK-u dhe gjuha.

Plani i sigurisë në shkolla do të përfshijë trajnimin dhe rritjen e numrit të punonjësve socialë, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë, për të garantuar një mjedis sa më të sigurt dhe gjithëpërfshirës për nxënësit.

Ndër risitë e tjera të vitit të ri shkollor janë Konkursi Kombëtar i Teatrove për nxënësit e klasave të tetë dhe të nënta, Festivali Kombëtar i Shkencës për gjimnazet, si dhe Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu