Në Elbasan është finalizuar një tjetër operacion policor në bashkëpunim me Interpol Tiranën. Një 41-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, u arrestua nga forcat e rendit me qëllim ekstradimin.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Elbasan, kapën në rrugën e fshatit Papër shtetasin E. B., 41 vjeç, ndërkohë që qarkullonte me automjet.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Sabadellit, në Spanjë, më datë 30 qershor 2025, kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Burime zyrtare bënë të ditur se Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë të gjitha procedurat për ekstradimin e 41-vjeçarit drejt vendit ku akuzohet për këto krime.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu