Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 32-vjeçar, pasi plagosi me mjet prerës dy persona në dy zona të ndryshme të qytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, I. H., 32 vjeç, banues në Vlorë, u ndalua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, pas dokumentimit të plotë të ngjarjes përmes pamjeve filmike të siguruara nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar, në lagjet “10 Korriku” dhe “Pavarësia 2”, ku shtetasi I. H. u konfliktua fizikisht me M. F., 39 vjeç, dhe K. K., 32 vjeç, për motive të dobëta. Gjatë përplasjes, ai përdori një mjet prerës (thikë), duke lënë të plagosur të dy personat.

Fatmirësisht, të dëmtuarit kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Edhe vetë autori i dyshuar ka marrë trajtim mjekësor për plagët e marra gjatë konfliktit.

Policia sekuestroi si provë materiale mjetin prerës të përdorur në ngjarje, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu