
Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër trafikimit të paligjshëm të emigrantëve, i koduar “Attempt 2”. Si rezultat, katër shtetas janë arrestuar, përfshirë organizatorin e dyshuar të aktivitetit kriminal, ndërsa u sekuestruan 2 automjete, para dhe celularë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Në pranga ranë:
- K. B., 29 vjeç,
- A. A., 48 vjeç,
- Një i mitur 17-vjeçar, të tre banues në Lushnjë.
Gjithashtu u ndalua D. D., 34 vjeç, gjithashtu nga Lushnja, i dyshuar si organizator i rrjetit.
Sipas njoftimit zyrtar, 17-vjeçari u kap në flagrancë në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, duke transportuar 9 emigrantë nga Egjipti me një automjet tip “Mercedes-Benz”, pa leje drejtimi. Ai tentoi të shmangte kontrollin policor, braktisi automjetin dhe u largua, por u kap nga shërbimet e Policisë.
Ndërkohë, K. B. dhe A. A. dyshohet se udhëtonin me një automjet tjetër tip “Fiat”, duke kontrolluar rrugën dhe sinjalizuar të miturin për praninë e Policisë.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi:
- 2 automjete,
- 400 euro cash,
- 6 celularë.
Të gjithë personat e ndaluar përballen me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.