
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa është nderuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me nënshtetësinë kosovare, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Prishtinë shkruan The Guardian.
“Jam thellësisht mirënjohëse që më është dhënë nënshtetësia kosovare nga presidentja jonë @vjosaosmani, ka shkruar Lipa në një postim në Instagram, ku ndau edhe momente nga ceremonia.
Presidentja Osmani u shpreh:
“Sot është një nder i veçantë që me dekret presidencial t’i jap nënshtetësinë e Republikës së Kosovës Dua Lipës, një nga personalitetet më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.
Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe mbetet një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha botërore, duke bërë histori me arritjet e saj dhe duke u bërë frymëzim për miliona njerëz në mbarë botën.”
Dua Lipa, e lindur në Londër nga prindër kosovarë-shqiptarë, Anesa dhe Dukagjin Lipa, është zhvendosur në Prishtinë në moshën 11-vjeçare, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, për t’u kthyer sërish në Londër katër vite më vonë.
Në ceremoninë e nderimit, ajo u prit nga një grup fëmijësh të veshur me të bardha, të cilët kënduan hitin e saj të vitit 2020, Levitating.
Ky vlerësim vjen një ditë pas performancës së saj madhështore në festivalin Sunny Hill, të cilin ajo e themeloi në vitin 2018. Aty, ajo këndoi këngën “Era” në gjuhën shqipe, për herë të parë në skenë, bashkë me babain e saj Dukagjin Lipa.
“E pamundur të përshkruaj me fjalë emocionin që përjetova. Të ndaj skenën me babin tim, në qytetin që më formoi, ishte një moment i paharrueshëm”, shkroi ajo në rrjetin social X (ish-Twitter).
Kjo nuk është hera e parë që Dua Lipa nderohet në mënyrë institucionale në trojet shqiptare. Në nëntor 2022, ajo mori edhe nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti Bajram Begaj.
Që nga nisja e karrierës së saj në vitin 2013, Lipa ka koleksionuar suksese të jashtëzakonshme, përfshirë katër këngë nr.1 në Mbretërinë e Bashkuar, dy albume që kanë kryesuar klasifikimet dhe bashkëpunime globale me artistë si Calvin Harris.