
Dy turiste nga Hollanda kanë përjetuar momente ankthi në malet e Qerretit, në Pukë, pasi humbën orientimin gjatë një ecjeje malore. Fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e Policisë bëri të mundur gjetjen dhe ndihmën e tyre.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë u nisën drejt zonës së malit, duke organizuar kërkime në terren për lokalizimin e turisteve.
Pas disa orësh kërkime intensive, punonjësit e Policisë arritën të gjenin dy shtetaset hollandeze, njëra prej të cilave, K. D., kishte pësuar dëmtime të lehta pas një rrëzimi gjatë ecjes në terren të vështirë.
Turistet u ndihmuan në mënyrë të menjëhershme dhe u transportuan në një vend të sigurt. Ato shprehën mirënjohjen për gatishmërinë, profesionalizmin dhe ndihmën e shpejtë të oficerëve të Policisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër thekson se është maksimalisht e angazhuar për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë, veçanërisht në zonat malore.