Kompania Bankers Petroleum Albania duket se është tërhequr nga paralajmërimi i pak javëve më parë për të çuar qeverinë shqiptare në arbitrazh, duke zbutur tonet dhe duke rikonfirmuar angazhimin ndaj platformës strategjike “Shqipëria 2030” dhe ndaj vizionit “për siguri energjetike, zhvillim të qëndrueshëm dhe partneritet afatgjatë me shtetin shqiptar”.

Në një njoftim për mediat, këtë të premte më 1 Gusht, Bankers Petroleum thekson përkushtimin për të zbatuar pa rezerva vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC) të datës 7 qershor 2024, i mbështetur edhe nga Gjykata e Apelit e Shqipërisë.

Po ashtu mes të tjerash, kompania e cila po hetohet për evazion fiskal nga prokuroria e Fierit, shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përkatëse shqiptare.

“Ekipet tona ligjore janë plotësisht të përgatitura për të punuar së bashku me institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar ekzekutimin gjithëpërfshirës të këtij vendimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të mbrojtur investimet e huaja dhe për të siguruar zbatimin me sukses të një projekti kryesor energjetik në Evropën Kontinentale, që pasqyron interesat e përbashkëta kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë.”, thuhet në njoftimin e kompanisë, e cila mes të tjerash foli dhe për investime dhe inovacion në të ardhmen energjetike të vendit.

Bankers bëri të ditur se është në prag të prezantimit të një teknologjie të re termale, e cila synon të përmirësojë rikuperimin e naftës, të ulë kostot e prodhimit dhe të rrisë qëndrueshmërinë mjedisore të operacioneve.

Kujtojmë se më 22 korrik, Bankers paralajmëroi se mund të dërgonte qeverinë në Arbitrazh. Kjo pasi kryeministri Edi Rama, i bëri thirrje publike Prokurorisë së Fierit që të vijojë me hetimet ndaj kësaj ndërmarrjeje, e cila sipas tij i detyrohet qeverisë plot 240 milionë euro.

Hetimi për ”Bankers Petroleum” ka nisur në dhjetor të 2024-ës, ku është dokumentuar ngritja e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar dhe fshehje të ardhurash për të cilën dyshohen nëntë persona (tanimë të arrestuar) si dhe pesë të tjerë të shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorisë së Fierit, shoqëria ka tregtuar mbi 532 miliardë lekë karburant, por në 20 vitet e fundit e ka deklaruar kompaninë me humbje ne vlerën e 11.7 miliardëve, duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar.

 

Njoftim për Shtyp

Bankers Petroleum Albania Ltd. konfirmon sërish angazhimin e palëkundur ndaj platformës “Shqipëria 2030” dhe ndaj një vizioni afatgjatë, që forcon sigurinë energjetike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.

Ky angazhim, i cili shtrihet përtej detyrimeve rregullatore, është një premtim solemn ndaj popullit shqiptar dhe një mbështetje e qartë e ndaj lidershipit të vendit, i rrënjosur në besim, llogaridhënie dhe partneritet strategjik.

Në përputhje të plotë me institucionet dhe autoritetet kombëtare, ne konfirmojmë gadishmërinë tonë për të zbatuar, pa rezerva, Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (IÇ) të datës 7 qershor 2024, të mbështetur nga Gjykata e Apelit e Shqipërisë (Vendimi Nr. 479, i komunikuar më 1 korrik 2025).

Ekipet tona ligjore janë plotësisht të përgatitura për të punuar së bashku me institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar ekzekutimin gjithëpërfshirës të këtij vendimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të mbrojtur investimet e huaja dhe për të siguruar zbatimin me sukses të një projekti kryesor energjetik në Evropën Kontinentale, që pasqyron interesat e përbashkëta kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë.

Ne po ndjekim me vëmendje të sinqertë hetimet penale, të iniciuara nga autoritetet shqiptare më 2 korrik 2025, në lidhje me disa kolegë të respektuar dhe ish-punonjës.

Gjatë gjithë këtij procesi, vazhdojmë të angazhohemi haptazi me të gjitha institucionet kompetente, të udhëhequr nga një frymë transparence, respekti të ndërsjellë dhe respektimi të ligjit. Për shembull, nën drejtimin e Kryetarit tonë të Bordit Mbikëqyrës, planifikojmë të formojmë një ekip të jashtëm për të kryer një vetë-hetim të thellë për të gjithë periudhën, duke ofruar bashkëpunim dhe ndihmë të ngushtë për autoritetet shqiptare.

Kemi shpresa të mëdha në integritetin dhe drejtësinë e sistemit gjyqësor shqiptar dhe mbetemi shpresëplotë se kjo çështje do të trajtohet me paanshmërinë dhe kujdesin që meriton. Gjithashtu, shprehim dëshirën tonë të sinqertë që masat aktuale të sigurisë që prekin anëtarët e ekipit tonë, të rivlerësohen në mënyrë të tillë, që të mbrojnë vazhdimësinë e operacioneve tona dhe përforcojnë besimin ndaj drejtësisë.

Të shtyrë nga angazhimi ynë ndaj inovacionit dhe përsosmërisë operacionale, Bankers Petroleum Albania është krenar të pohojë sërish qëllimin për të vijuar me investime të mëtejshme në të ardhmen energjetike të vendit.

Si pjesë e këtij vizioni drejt të ardhmes, po forcojmë qeverisjen tonë dhe po përgatitemi të lançojmë një teknologji termale të përparuar të projektuar për të përmirësuar ndjeshëm rikuperimin e naftës, për të ulur kostot e prodhimit dhe për të forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë të operacioneve tona.

Përveç kësaj, këto përmirësime pritet të luajnë një rol kyç në mbështetjen e zhvillimit më të gjerë ekonomik të Shqipërisë dhe objektivave mjedisore, duke përmirësuar efikasitetin e burimeve, duke zvogëluar gjurmën ekologjike të operacioneve dhe duke promovuar përdorimin e përgjegjshëm të aseteve energjetike. Kjo iniciativë shënon një hap të guximshëm drejt pozicionimit të Shqipërisë si një pikë referimi rajonale për zhvillimin e përgjegjshëm dhe efikas të energjisë.

Ndërsa përparojmë në të gjitha drejtimet; ligjore, operacionale dhe teknologjike, ne vijojmë të jemi plotësisht në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë, kushtet e marrëveshjes sonë të koncesionit, ICC-në dhe standardet ndërkombëtare të zbatueshme. Rruga jonë është ajo e partneritetit dhe prosperitetit të përbashkët; duke u përqendruar në mbrojtjen e investimeve afatgjata, duke nxitur inovacionin, kujdesin ndaj mjedisit dhe duke kontribuar në mënyrë vendimtare në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Ne e shohim rolin tonë jo vetëm si operator energjie, por si një partner i besuar në udhëtimin e zhvillimit të vendit, të përkushtuar ndaj progresit, stabilitetit dhe një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë shqiptarët./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu