
Tiranë, 26 korrik 2025 – Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar ashpër për situatën e krijuar nga zjarret që kanë përfshirë vendin, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë dhe mungesë totale të përgjegjësisë institucionale.
“Shqipëria është pushtuar nga zjarret, nga Jugu në Veri, ndërkohë që qeveria hesht dhe reagon me vonesë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga PD. Opozita i bën thirrje qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të largohen nga zonat e kërcënuara, duke shprehur gjithashtu indinjatën për “reagimin minimalist dhe thuajse përqeshës të autoriteteve”.
Sipas PD-së, zjarret dhe fatkeqësitë natyrore nuk janë të pazakonta, por është në dorë të qeverive të jenë të përgatitura dhe të angazhohen seriozisht. “Ushtria dhe zjarrfikësit përballen me flakët me lopata dhe batanije, sikur të ishim në një vend të sapodalë nga lufta”, thuhet më tej.
Partia Demokratike i ka krahasuar ndërhyrjet e dobëta në raste emergjente me “forcën e tepërt të përdorur nga shteti për të shembur bujtina në Theth apo për të ndëshkuar shitësin e rigonit në Sarandë”.
Deklarata kritikon gjithashtu shpenzimet luksoze të qeverisë për satelitë, dronë, udhëtime e evente, ndërsa lë pas dore modernizimin e infrastrukturës për emergjencat civile dhe mbrojtjen e qytetarëve. “Kështu do të jetë kjo verë dhe çdo verë me Edi Ramën”, paralajmëron PD.
Në përfundim, Partia Demokratike e cilëson Kryeministrin Rama si “njeriun që nuk fik dot zjarrin, por hedh vendin në flakë”, duke theksuar se qytetarët janë të vetmit që po përballen të vetëm me pasojat e rënda të kësaj situate.