Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “White Pack”, duke goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, u arrestuan në flagrancë shtetasit I. D., 58 vjeç (me precedentë penalë për krime ndaj jetës) dhe K. D., 26 vjeç, të cilët janë familjarë me njëri-tjetrin.

Dy të arrestuarit u kapën në rrugën “Myslym Keta” duke transportuar një sasi të konsiderueshme kokainë që dyshohet se do t’i shitej personave të tjerë, me qëllim ndarjen në doza dhe shpërndarjen e saj në zonat e Tufinës, Kinostudios dhe Freskut.

Gjatë kontrolleve të kryera në automjetin dhe banesat e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 kg e 300 gramë kokainë, dy telefona celularë dhe automjetin që përdornin për aktivitetin kriminal.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje droge.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu