Ministria e Mbrojtjes informon se në fshatrat Vergo, Palavli dhe Kopaçëz në bashkinë Delvinë, pas një ndërhyrjeje të përqendruar të forcave të emergjencës, situata paraqitet më e përmirësuar.

Katër helikopterë kanë kryer fluturime të vazhdueshme gjatë gjithë ditës për të kufizuar përhapjen e flakëve, ndërkohë që mbi 120 forca operacionale janë angazhuar në terren për orientimin dhe mbështetjen e banorëve të zonës.

Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për orët në vijim, të cilat pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta. Është prioritet që mbrëmja të kalojë në mënyrë sa më të sigurt për komunitetin.

Ministria njofton gjithashtu se Shefi i Komisariatit të Delvinës është lënduar gjatë një ndërhyrjeje për ndihmën e banorëve në kushte shumë të vështira. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spital dhe i urojmë shërim të shpejtë, duke vlerësuar aktin e tij të guximshëm.

Falënderime të veçanta u drejtohen forcave zjarrfikëse, Policisë së Shtetit dhe partnerëve që po ndihmojnë në menaxhimin e kësaj situate të vështirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu