Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot, 24 korrik, në aksin Kombinat-Ndroq-Plepa në kuadër të aksionit për lirimin e akseve rrugore nga “zaptuesit”.

Balluku theksoi se nuk do të tolerohet asnjë subjekt që ka zënë hapësirë në këto akse, pasi kjo përbën rrezik të madh për jetën e qytetarëve.

“Në kuadrin e këtij aksioni të madh që kemi marrë për të sistemuar dhe për të pastruar të gjithë territorin, për të hapur hapësirat publike. Sigurisht një nga pikat më të rëndësishme dhe që kërkon vëmendje është siguria rrugore e bashkuar edhe me pjesën ambientale. Ka kushte të përcaktuara në ligj se sa larg duhet që të ndodhet një varrezë automjetesh apo se sa duhet të ndodhen pikat e përpunimit të materialeve të cilat përveç të gjithë pjesën estetike që është e pafalshme se çfarë i shkakton një rruge, por është edhe nga ana e sigurisë. Kemi një thyerje të sigurisë rrugore dhe kemi vendosur që të nisim një aksion të madh në të gjithë vendin”, u shpreh Balluku.

Nga inspektimi në terren Balluku tha se do u jepet afat shtatë ditë, deri më datën 31 korrik, të gjitha bizneseve që të largohen nga territori që kanë zaptuar dhe të shkojnë tek pronat ë tyre, për të ushturuar aktivitetin në kuadër të rregullave estetike dhe të Qarkullimit Rrugor.

Ndërkohë shtoi se do të ketë gjoba dhe zero tolerancë për të gjitha bizneset që kanë zaptuar hapësirën publike dhe që nuk kanë leje mjedisore.

“Ne do të lemë një afat kohor duke nisur nga sot dhe deri në shtatë ditë, ose më saktë deri në përfundim të muajit korrik, duhen pastruar me vullnet të plotë të gjitha territoret që vijnë afër rrugëve. Në rast të kundërt ne do të vazhdojmë në të gjithë territorin e Shqipërisë atje ku ndodhen akset. Ne do të ndërmarrim masa dhe gjoba të cilat as nuk do të fshihen dhe as nuk do të falen. Kemi bërë thirrje disa që pastrohet territori dhe të respektohen rregullat e Sistemit Rrugore apo edhe rregullat estetike.

Bizneset do të jenë të detyruar që brenda shtatë ditëve të lëvizin dhe të lirojnë territoret që kanë zaptuar dhe të futen në pronën e tyre, madje edhe ta rrethojnë duke respektuar distancat nga asfalti dhe nga prerja e rrugës. Do të ngremë një Task-Forcë e cila do të jetë në terren gjatë gjithë muajit korrik, duke këshilluar dhe paralajmëruar. Pra të gjitha bizneset që nuk kanë një leje mjedisore, kanë një gjobë, e cila nuk ka shtatë ditë afat, siç ka kjo për t’u tërhequr. Ne do të vazhdojmë që të jemi në territor dhe unë kam marrë në dorë të gjitha pamjet që vijnë me dronë dhe situata edhe në askin e Niklës është alarmante. Do të jemi aty për të vëzhguar gjithçka në terren”, shtoi zëvendëskryeministrja Balluku./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu