
Malcolm-Jamal Warner, aktori i njohur për rolin e Theo Huxtable në serialin legjendar “The Cosby Show”, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare.
Sipas mediave amerikane, Warner humbi jetën në një aksident tragjik në det, teksa po pushonte me familjen në Costa Rica. Ai po notonte në plazhin Playa Grande në Cahuita, ku një rrymë e fortë detare e tërhoqi drejt thellësisë. Ndihma nga të pranishmit dhe Kryqi i Kuq nuk arriti të shpëtonte jetën e tij.
Warner u bë i famshëm në moshë të re me rolin e djalit të vetëm të Bill Cosby në serialin që ndryshoi imazhin e familjes së klasës së mesme afro-amerikane në televizionin amerikan. Për këtë rol, ai u nominua për një çmim Emmy në vitin 1986.
Përveç aktrimit, Warner ishte edhe muzikant i suksesshëm, duke fituar një çmim Grammy në 2015 dhe një tjetër nominim në vitin 2023 për albumin e tij poetik.
Në vitet e fundit, ai ka qenë aktiv në projekte televizive si “The Resident” ku luan rolin e një kardiokirurgu arrogant por tepër të zotin, “Grownish”, “American Horror Story”, si dhe në podcastin e tij “Not All Hood”, ku promovonte diversitetin dhe përfaqësimin e komunitetit afrikano-amerikan.
Kolegët dhe miqtë e kanë kujtuar me dashuri dhe dhimbje. Aktorja Tracee Ellis Ross e përshkroi si “një mik të ngrohtë, të thellë dhe të ndjeshëm”. Aktori dhe komediani Eddie Griffin shkroi: “Botës i mungon një Baba, një Mik, një Poet, një Udhëheqës… U prefsh në paqe, vëllai im i madh i vogël.”